Në nderim të muajit të ditëlindjes së Profetit Muhamed (a.s.), Departamenti i mualimëve pranë Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, organizoi ciklin e veprimtarive me temë: “Gjurmëve të Profetit fisnik”, me qëllim përkujtimin e haditheve profetike mbi mënyrën e të jetuarit. Aktivitetet u përqendruan në: ligjërata me mësime nga perlat e urtësisë profetike; përkujtimi i figurave të dijetarëve dhe atdhetarëve myslimanë si dhe veprimtari fetare e artistike me fëmijët e kurseve të edukatës islame, duke synuar sensibilizimin e brezit të ri për t′iu rikthyer haditheve profetike në çdo aspekt të jetës.
Siparin e këtij cikli aktivitetesh e çeli ligjërata e mbajtur në xhaminë Sukth nga myftiu i Krujës Erjol Haxhiu, i cilin theksoi tradita profetike na ndihmon të ruajmë Islamin të pastër dhe të padevijuar, duke vënë theksin në dashurinë ndërnjerëzore. Veprimtaria e radhës ishte ligjërata e mbajtur nga myftiu i Lushnjës, Gramoz Blliku, në xhaminë e fshatit Çermë, mbi moralin e lartë të çdo individi, kujdesin për pjesëtarët e familjes, ruajtjen e lidhjeve farefisnore etj.
Më pas cikli profetik u ndal në xhaminë e fshatit Cerkez, ku hoxha i nderuar Lulzim Plloçi u përqendrua në sfidat me të cilat përballet sot rinia dhe udhëzimi i tyre për në rrugën e drejtë, përmes këshillave dhe urtësive profetike. Ai solli shembullin e Profetit fisnik, i cili sillej gjithmonë mirë me të rinjtë, duke i dëgjuar dhe kuptuar problemet e tyre, duke i trajtuar me përzemërsi dhe përkujdesje.
Edhe besimtarët e xhamisë Bërdicë të Shkodrës iu bashkuan aktiviteteve në kuadër të ciklit “Gjurmëve të Profetit fisnik”, të organizuar nga AIITC. Ata ndoqën me vëmendje ligjëratat e imamëve Lavdrim Hamja dhe Altin Nikshiqi, të cilët vunë theksin në vlerat e diturisë, edukatës dhe moralit të lartë, përmes përmendjes së shumë haditheve profetike që trajtojnë këto çështje.
Aktivitetet vazhduan me një ligjëratë të mbajtur në xhaminë Helmas të Kavajës, mbi trajtimin e femrës me respekt, dashuri dhe butësi. Ligjëruesi Sokol Kondakçi, duke shprehur shqetësimin për dhunën e shprehur ndaj gjinisë femërore vitet e fundit, theksoi se Muhamedi (a.s.) na ka këshilluar për kujdesin ndaj grave, vajzave, nënave e motrave, dhe se feja Islame është kundër ushtrimit të dhunës ndaj gruas dhe pro të drejtave të barabarta me burrin, pasi ajo konsiderohet si gjysma e besimit të bashkëshortit të saj.
Ciklin “Gjurmëve të Profetit fisnik” e mbylli ligjërata e mbajtur në xhaminë Jubë të Durrësit, nga imami i Xhamisë së Madhe të qytetit të Durrësit, Ervin Qylafku. Ai e përkufizoi Zotin si qenien e vetme dhe më të lartë, që ka krijuar gjithësinë dhe kujdeset për çdo krijesë. Duke shprehur shqetësimin për largimin e njerëzve nga rruga e drejtë, për shtimin e fenomeneve negative në shoqëri, imami tha se zgjidhja e të gjitha këtyre problemeve është besimi në Zot dhe falënderimi i Tij përmes lutjeve të vazhdueshme