Këto ditë zhvilloi një vizitë në mjediset e AIITC studiuesi italian, prof. dr. Davide Dainese, drejtor i bibliotekës G. Dosseti, pranë Fondacionit të Shkencave Fetare Gjoni XXIII (Fondazione per le scienze religiose Giovanni XXIII). Ky Fondacion është themeluar në vitin 1953, si institut kërkimor që boton, organizon dhe komunikon hulumtimet në fushën e shkencave fetare, veçanërisht në lidhje me krishterimin dhe fetë me të cilat ai ka rënë në kontakt.

I ndodhur në Shqipëri për të marrë pjesë në punimet e një konference shkencore mbi integrimin e shoqërisë përmes harmonisë ndërfetare, prof. Dainese u shoqërua në këtë vizitë nga prof. dr. Reis Mulita, Drejtor i Institutit për Bashkëpunim, Integrim dhe Zhvillim dhe njëherësh anëtar i Bordit Drejtues të AIITC. Në pritje ishin drejtori i AIITC, dr. Ardian Muhaj dhe nëndrejtori Alban Kodra.

Prof. Dainese prezantoi institucionin ku punon dhe vizionin e tij për të krijuar një rrjet komunikimi midis institucioneve që merren me fushën e studimeve fetare në Europë. Ai shprehu interes të veçantë për të krijuar marrëdhënie bashkëpunimi me organizma të tillë nga vendet e Ballkanit, pasi, sipas tij, studimet mbi Islamin në rajonin e Ballkanit janë të pakta.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e AIITC i uruan mirëseardhjen dhe e njohën mysafirin me veprimtarinë studimore të Institutit, konferencat, programet e edukimit dhe aspekte të tjera të punës kërkimore. Ata paraqitën publikimet e larmishme të institutit në fushën e ruajtjes dhe të studimit të trashëgimisë kulturore fetare islame te shqiptarët, për të cilat prof. Dainese shprehu dëshirën për t’i pasur pjesë të bibliotekës së institucionit të tij.

Në bisedë u trajtuan tema të ndryshme në kuadër të vendosjes së një bashkëpunimi shkencor midis palëve në fushën e botimeve dhe të pjesëmarrjes së ndërsjellë në programet e ndryshme të hulumtimit shkencor në lëmenjtë e studimeve fetare. Më tej mysafiri i nderuar u njoh me arkivin e librave të vjetër dhe Librotekën e AIITC, si dhe me mjediset e tjera të Institutit. Pasi la mbresat e tij në Librin e Përshtypjeve, profesorit iu dhuruan disa nga botimet e Institutit në gjuhën angleze.