Kavajë, 18.03.2019
Qendra social-kulturore dhe xhamia Çetë organizuan një Panair gatimi, në bashkëpunim me shkollën 9 vjeçare të zonës. Aktiviteti u zhvillua në oborrin e xhamisë ku fëmijët ekspozuan gatimet që kishin përgatitur me duart e tyre të vogla. Mes ushqimeve të gatuara prej tyre, mbizotëronin ëmbëlsirat dhe gatimet tradicionale të zonës.
Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin përgjegjësi i Departamentit të Mualimëve, pranë Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, z. Pëllumb Jaupi, drejtori i shkollës 9-vjeçare “Çetë”, z. Arben Gjini, mësues të shkollës, besimtarë të shumtë si dhe prindër të fëmijëve. E veçanta e këtij panairi ishte fakti se të ardhurat modeste, të mbledhura nga shitja e këtyre gatimeve, do të shkojnë për bamirësi ndaj një familje me fëmijë jetimë, për të lehtësuar sadopak vështirësitë e jetës së tyre.
Në fjalën përshëndetëse përgjegjësi i Mualimëve, z. Pëllumb Jaupi, theksoi se pjesë e programit të qendrave social-kulturore është edhe zhvillimi i veprimtarive të tilla, që synojnë edukimin e fëmijëve përmes argëtimit. Në të njëjtën kohë, sipas tij ky panair ka si qëllim rritjen e përgjegjësisë sociale të fëmijëve ndaj grupeve në nevojë. Ndërsa drejtori i shkollës, z. Arben Gjini, falënderoi Qendrën social-kulturore Çetë për këtë organizim mjaft domethënës që synon të ndërgjegjësojë fëmijët për rëndësinë e kontributit të tyre në familje e shoqëri, si dhe për të rritur tek ata ndjenjën e humanizmit.
Të pranishmit patën mundësinë të shijonin gatimet e shijshme të fëmijëve, dhanë kontributin e tyre monetar, si dhe shkëmbyen biseda mes njëri-tjetrit, me dëshirën e mirë që aktivitete të tilla humanitare të shtohen në të ardhmen.