Tiranë, 02.04.2019
Një delegacion i Emirateve të Bashkuara Arabe, i kryesuar nga Dr. Maryam Shenasa, dhe Dr. Ali Mubarak, vizituan ambientet e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, për t′u njohur nga afër me veprimtarinë e tij të larmishme në fushën e shkencës dhe kulturës. Dr. Maryam Shenasa është doktore e shkencave bioteknike, themeluese dhe përfaqësuese e shtëpisë botuese “Yasemin”, me seli në Dubai. “Festivalet e kulturës arabe nëpër botë” është një nismë e ndërmarrë nga kjo shtëpi botuese, që ka si qëllim njohjen e kulturës, letërsisë dhe të gjuhës arabe në vendet jo-arabe. Së bashku me një grup shkrimtarësh e artistësh emiratas, ata kontribuojnë në ndërtimin e bibliotekave letrare të gjuhës arabe, në disa universitete të vendeve ku zhvillohen këto festivale.
Pas prezantimit të delegacionit arab me stafin e AIITC, drejtori Dr. Ardian Muhaj tha se kjo vizitë është në përputhje me misionin e AIITC, që është promovimi i kulturës dhe qytetërimit islam. Sipas tij, njohja e vendeve dhe gjuhës arabe është e domosdoshme për popullin shqiptar, duke qenë se prania e kulturës arabe në Shqipëri ka një histori 600-vjeçare. Ai theksoi se feja islame mund të mësohet në çdo gjuhë, por bukuria dhe veçantia e saj qëndron pikërisht në gjuhën arabe. Në fund të fjalës së tij, Dr. Muhaj uroi që ky projekt së shpejti të realizohet edhe në vendin tonë.
Ndërsa nëndrejtori i AIITC, z. Alban Kodra, bëri një prezantim të shkurtër të veprimtarisë shkencore-kulturore të AIITC gjatë vitit 2018, si dhe i njohu vizitorët me një sërë botimesh të larmishme, të realizuara ndër vite nga ky institut. Kryetari i Bordit drejtues të AIITC, Dr. Faruk Borova, hodhi idenë se shumë nga botimet në gjuhën shqipe mund të përkthehen edhe në arabisht, që të bëhen të njohura për gjithë botën arabe.
Delegacioni shprehu mirënjohjen për këtë pritje, duke vlerësuar punën e AIITC në promovimin e vlerave të qytetërimit dhe kulturës emiratase ndër shqiptarët. Ata premtuan çuarjen më tej të marrëdhënieve, për realizimin e projekteve konkrete, në kuadër të nismës që ata kanë ndërmarrë në shumë vende të botës joarabe.