Tiranë, 27.03.2019

Libri “Studime kontrastive mes arabishtes dhe shqipes në fushën e Fonologjisë” me autor ish-pedagogun e Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, të ndjerin Dr. Qemajl Morina, sapo ka dalë nga shtypi me mbështetjen e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam. Me këtë rast, përfaqësues të Fakultetit të Studimeve Islame, Prishtinë, vizituan ambientet e AIITC, në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për këtë botim kaq të dobishëm, që pritet të jetë pjesë e kurrikulave mësimore të këtij fakulteti.

Botimi i këtij libri erdhi pas një pune serioze të autorit të ndjerë, që ndërroi jetë në muajin shkurt, por edhe pas impenjimit maksimal të AIITC për korrektimin, faqosjen dhe më pas shtypjen e tij. Kontakti i vazhdueshëm mes AIITC dhe FSI, deri në botimin e librit, u finalizua me një vizitë kortezie në AIITC, të dekanit të këtij fakulteti, Prof. Asoc. Dr. Fahrush Rexhepi; pedagogut Prof. As. Dr. Musa Vila dhe sekretarit, z. Vedat Shabani. Ata u pritën nga drejtori i AIITC, Dr. Ardian Muhaj, nëndrejtori, z. Alban Kodra dhe stafi i këtij instituti.

Fillimisht, dekani Rexhepi falënderoi AIITC për gatishmërinë e treguar në realizimin e këtij libri studimor, duke e konsideruar një investim të vyer, pasi do t′u shërbejë edhe studentëve shqiptarë që mësojnë gjuhën arabe, profesorëve dhe studiuesve që merren me studime të thelluara në linguistikë. Gjithashtu, gjatë bisedës u vlerësua bashkëpunimi i kahershëm mes dy institucioneve, si dhe u diskutua mbi thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi në fushën e shkencës dhe edukimit.

Ky studim, i pari i këtij lloji, vëren aspektet e ngjashmërisë dhe të ndryshimeve mes gjuhës arabe dhe shqipe, përmes përshkrimit të strukturës fonetike të këtyre dy gjuhëve. Duke pasur parasysh gabimet që mund të bëjnë studentët shqiptarë gjatë mësimit të gjuhës arabe dhe anasjelltas, “Studime kontrastive mes arabishtes dhe shqipes në fushën e Fonologjisë” ofron zgjidhjet për tejkalimin e këtyre problemeve. Analiza krahasuese përfshin të gjitha nivelet gjuhësore: fonetike, morfologjike, sintaksore dhe semantike. Së bashku me kopjet e këtij libri, delegacionit të FSI iu dhuruan edhe disa nga botimet më të fundit të AIITC.