Tiranë, 22.01.2019

Në kuadër të promovimit të revistës shkencore-kulturore “Univers”, stafi i saj i kushton një vëmendje të veçantë vizitave që anëtarë të redaksisë zhvillojnë në institucionet akademike e arsimore, brenda dhe jashtë vendit. Në këtë kontekst, një përfaqësi e revistës, e përbërë nga drejtori i AIITC, dr. Ardian Muhaj, Kryeredaktori, Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj, anëtari i redaksisë, Prof. Dr. Seit Mansaku, si dhe koordinatorja, znj. Anisa Hykaj, zhvilluan një vizitë në Universitetin Europian të Tiranës UET.

Fillimisht, ata i uruan suksese rektores së sapo emëruar të UET, njëherazi edhe anëtare e redaksisë së revistës “Univers”, Prof. Dr. Nevila Nika, duke shprehur kënaqësinë për këtë zhvillim të rëndësishëm në karrirën e saj akademike. Më pas biseda u përqendrua në shtrirjen e bashkëpunimit për realizimin e projekteve me interes reciprok, veçanërisht në promovimin e studiuesve të rinj.

Në pozicionin e një prej bashkëpunëtoreve të ngushta në redaksinë e “Universit”, ajo vlerësoi profesionalizmin dhe kontributin e kësaj reviste në fushën e shkencës dhe kulturës shqiptare. Në fund të vizitës, redaksia i bëri rektores Nika një dhuratë simbolike, në shenjë urimi për këtë arritje, duke i uruar suksese të mëtejshme.