Muaji i Begatë i Ramazanit është një ndër ngjarjet më të dashura dhe të shumëpritura për besimtarët muslimanë. Tashmë ata kanë filluar përgatitjet për ta pritur sa më gëzueshëm këtë muaj të sakrificës dhe mirësisë. Por ky vit, për të parën herë, i ka brengosur zemrat e tyre, pasi situata e krijuar si pasojë e pandemisë, ka sjellë ndalimin e disa riteve që i japin më shumë kuptim këtij muaji, si faljet e xhumasë, e namazave dhe falja e teravive në xhami. Megjithatë, kjo nuk do tʼi pengojë ata të përjetojnë sakrificën e agjërimit, lutjet individuale dhe marrjen e shpërblimeve.
Për të qenë sa më pranë besimtarëve muslimanë në këtë muaj të shumëpritur, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qyetëtrimit Islam ka ndërmarrë realizimin e një projekti që synon shpërndarjen e pakove ushqimore, dhuratë për 300 familje në zona të ndryshme të Shqipërisë. Pakot përmbajnë ushqimet bazë, si miell, oriz, sheqer, vaj, patate, biskota, salcë, kripë, makarona, niseshte, fasule, reçel, hurma arabie, sapun etj.
Projekti, nga i cili do të përfitojnë rreth 1500 persona, do tʼu vijë në ndihmë besimtarëve në përgatitjet e tyre për agjërim, kryesisht familjeve të varfra dhe me probleme social-ekonomike, në mënyrë që në sofrat e tyre të mos mungojë ushqimi i iftarit dhe syfyrit. Pakot ushqimore të përgatitura me shumë dashuri dhe kujdes, do të shpërndahen javën që vjen, në mënyrë që Dita e parë e Muajit të Ramazanit të pritet me gëzim nga të gjitha familjet që do të përfitojnë nga ky dhurim.