Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam zhvilloi konkursin e fotografisë me temë: “Xhamia më e bukur, Ramazan 2020”, në datat 7-20 maj, duke ftuar të gjithë të apasionuarit pas fotografisë, për t’u bërë pjesë e kësaj eksperience të bukur. Dhjetëra konkurrentë nga trevat shqiptare, si Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, paraqitën foto të realizuara në disa prej xhamive që ata kanë vizituargjatë këtij Ramazani.

Juria profesioniste, e përbërë nga artisti dhe pedagogu i Universitetit të Arteve, Edison Çeraj, fotografi i njohur Roland Tasho dhe përfaqësuesi i Media Kontakt, Shkëlqim Koçi, u mblodhën në ambientet e Institutit AIITC, ku shqyrtuan me kujdes të gjitha fotot pjesëmarrëse. Pas shumë diskutimeve, ata shpallën dy fitues:

Dorian Balliu për foton “Xhamia Ura e Bunës, Shkodër”, me motivacionin: “Për gjetjen e harmonisë mes antikes, kultit, ndërtimeve të kohës dhe natyrës. Fotografia shënon arritje, për sa i përket kompozimit”.

Shkëlzen Rexha për foton “Xhamia e Hadumit, Gjakovë”, me motivacionin: “Për ndjeshmërinë artistike në vlerësimin e përmbajtjes, më shumë se formës së jashtme të xhamisë. Nuk janë muret që e mbajnë në këmbë një tempull, por qëllimet për të cilat ajo është ngritur.”

Pas marrjes së vendimit, anëtari Edison Çeraj theksoi se juria vlerësoimë së shumti risitë që sjellin konkurrentët, duke dalë nga korniza e një fotografie klishe’, e realizuar më së miri në kushtet që na ofron sot teknologjia. Ai theksoi se nuk ishte aspak e lehtë të zgjidhje mes dhjetëra prurjeve, ku spikaste dhuntia artistike dhe frymëzimi shpirtëror për realizimin e këtyre fotove. 

Fituesit e këtij konkursi u pajisën me certifikata dhe nga një kolanë me botimet më cilësore dhe të rralla të AIITC. Ndërkohë, të gjitha fotot pjesëmarrëse në këtë konkurs do të bëhen pjesë e postimeve të herë pas hershme të AIITC, shoqëruar me emrin e secilit konkurrent. Kjo nismë do të zgjerohet edhe më tej gjatë viteve në vazhdim, duke synuar një përfshirje më të gjerë të xhamive në trojet shqiptar edhe në Ballkan.