Duke qenë se gjatë muajit të Ramazanit shtohen lutjet, leximi i Kuranit dhe i botimeve fetare, emisioni “Kontakt me librin” përcolli te dëgjuesit disa prej haditheve profetike, këshillave dhe mirësive të Ramazanit. Në qendër të këtij emisioni ishte interpretimi i disa prej fragmenteve nga  libërthat e xhepit, të botuar në vitin 2008 nga AIITC, mes të cilëve: “Ramazani, reflektime shoqërore” i autorit Dr. Ali Umer Badahdah; “Muhamedi, Kush është Ai?”; “Rruga e Xhenetit dhe rruga e Zjarrit” i autorit Ali Tantavi; “Ngazëllimet e shpirtit” i autorit Sejid Kutub.

Po kështu, një tjetër botim interesant ishte edhe “Sekreti i jetës”, një manual praktik për arritjen e qetësisë shpirtërore. Ky libër i autorëve Ekrem Iljas dhe Darin Barashid, na kujton se lumturia e njeriut është e lidhur me përulësinë e tij në namaz, që ata e konsiderojnë si një udhëtim të mrekullueshëm.

Fisnikëria e dibranëve dhe bujaria e tiranasve është thelbi i një tjetër botimi të AIITC, që u trajtua në emisionin e radhës së emisionit “Kontakt me librin”. Bëhet fjalë për librin “Dibranë dhe Tiranas, 100 vjet së bashku”, të autorit Dr. Faruk Borova. Në një lidhje telefonike, vetë autori rrëfeu peripecitë e komunitetit dibran, pas dëbimit dhe shpërnguljes, vendosja e tyre në Tiranë dhe integrimi deri në ditët e sotme.