Ashtu sikurse në dhjetë ditëshin e parë të muajit të Ramazanit, Institutit Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam ka vazhduar shpërndarjen e ushqimeve për sofrat e iftareve dhe syfyreve në shtëpitë e shumë besimtarëve muslimanë, kryesisht për familjet në nevojë dhe me probleme të thella sociale, për nënat e vetmuara me fëmijë jetimë, për personat e sëmurë dhe me aftësi të kufizuara, për studentët etj. Shpërndarja u realizua falë bashkëpunimit me imamët dhe xhematet e xhamive  në disa rrethe të vendit.

Qëllimi i këtij projekti humanitar është ofrimi i një mbështetjeje morale, shpirtërore dhe financiare ndaj këtyre familjeve që kanë dëshirë të madhe për të agjëruar, pavarësisht pamundësive ekonomike. Bashkë me ushqimet, sipas një menyje të caktuar ditore, sofrat e Ramazanit të përgatitura nga AIITC, janë ëmbëlsuar edhe me pakot e hurmave arabe, duke ndjekur traditën e bukur profetike për çeljen e iftarit pas agjërimit.