Me rastin e Muajit të Bekuar të Ramazanit, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam shpërndau pako me hurma arabe, duke iu përmbajtur traditës së bukur profetike. Ky projekt disavjeçar, gjatë Ramazanit 2020 nisi me shpërndarjen e këtyre pakove te bashkëpunëtorët, imamët dhe xhematet e xhamive të ndërtuara me kontributin dhe mbështetjen e AIITC në gjithë vendin.

Duke qenë se këtë vit, përgjatë gjithë këtij muaji, iftaret janë dërguar në shtëpitë e agjëruesve, ato janë shoqëruar edhe me pakot e hurmave arabe, duke gëzuar zemrat e shumë besimtarëve në qytete të ndryshme të Shqipërisë, si në Tiranë, Durrës, Kavajë, Dibër, Shkodër, Vlorë, Tropojë etj.

Gjithashtu janë shpërndarë pako me hurma arabe edhe për agjëruesit e shtresave të ndryshme shoqërore, në çdo familje të varfër dhe në nevojë, në familjet e fëmijëve jetimë, për personat me aftësi ndryshe si dhe për studentët. Në këtë mënyrë, AIITC ringjall një prej traditave të Profetit tonë të dashur, Muhamedit (a.s.), për çeljen e iftarit në këtë muaj agjërimi.