Pas një periudhe mëse dy mujore izolimi dhe ndërprerje të aktiviteteve, për shkak të situatës pandemike në gjithë botën, Departamenti i Mualimëve pranë Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, ka rinisur sezonin e kurseve verore të Edukatës islame për fëmijë. Këto kurse janë shtrirë në 22 xhamitë dhe qendrat social-kulturore nën kujdesin e AIITC, në disa qytete si Tiranë, Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Vlorë, Shkodër etj.
Qindra fëmijë të moshave shkollore, 6-14 vjeç, u regjistruan në këto kurse për t′u pajisur me edukatën e bukur islame. Ata do të zgjerojnë njohuritë e tyre në mësimet bazë të Islamit, në lëndët Histori profetike, Kurani Fisnik, Hadith, Fikh etj… Pjesë e programit mësimor të kurseve verore janë edhe aktivitetet kulturore-artistike, edukative dhe sportive, shëtitjet në natyrë dhe njohja e trashëgimisë sonë kulturore, ku fëmijët do të kenë mundësinë të udhëtojnë në shumë vende turistike.
Këto aktivitetet kanë si qëllim t′i bëjnë më argëtuese pushimet verore për këta fëmijë, duke dhënë një shembull të mirë për bashkëmoshatarët e tyre. Pas përfundimit të këtyre kurseve, kursantët do të pajisen me certifikata. Xhamitë dhe qendrat tona social-kulturore janë shndërruar në vatra edukimi dhe kulture për komunitetin, duke ofruar shumë mundësi për edukimin e brezit të ri brenda kornizave të etikës dhe moralit të një shoqërie të shëndoshë.