Gjatë muajit korrik, emisioni “Kontakt me librin” ka sjellë informacione interesante për botime të tjera me vlerë, duke u sugjeruar lexuesve tituj të tjerë librash e revistash. Broshura me titull “Shkenca bashkëkohore siç është shpallur në Kuran dhe në fjalët e Profetit”, e autorit Dr. Itidal Albanawi, erdhi në një mënyrë origjinale, përmes një bisede me biologen Jeta Kasaj, e cila i trajtoi çështjet e këtij libërthi në dy këndvështrime, sipas zbulimeve shkencore dhe mrekullive kuranore. Kjo broshurë u botua në gjuhën shqipe nga Instituti AIITC në vitin 2015, ajo trajton disa nga shenjat e mrekullive të gjetura në Kuran dhe në Sunet dhe mund t′i referohen shumë shkencëtarë e studiues.

E ftuara e radhës ishte redaktorja e revistës “Familja”, botim i Shoqatës Kulturore “Gruaja”, e krijuar që prej vitit 2000. Ajo bëri një përshkrim të përgjithshëm të rubrikave të kësaj reviste, artikullshkruesve, bashkëpunëtorëve dhe vështirësive që hasen gjatë procesit të nxjerrjes së një numri mujor. Tashmë kjo revistë gjendet në versionin elektronik dhe mund të shfletohet on-line. 

Një tjetër propozim për dëgjuesit e emisionit “Kontakt me librin” ishte vepra “Fuqia e Arsimit”, një nga botimet më të fundit të AIITC në bashkëpunim me CNS. Duke qenë i vetëdijshëm për shumë mangësi e sfida me të cilat arsimi përballet në ditët e sotme, autori Jeremy Henzell Thomas mundohet ta trajtojë këtë çështje me shumë kujdes, duke i mëshuar faktit se formimi intelektual është një mori pa fund dijesh përgjatë gjithë jetës, që mund të arrihet vetëm nëpërmjet ndërveprimit mes kulturave e popujve etj.

Nga Gjermania, në një lidhje telefonike, teologu Besim Nuzi vlerësoi dhe analizoi veprën “Tërësia dhe Shenjtëria në Kuran, një perspektivë islame”. Ky libër është një kontribut i mëtejshëm për punën jetësore të ‘Islamizimit të dijes’, që vazhdon traditën e ringjalljes së një perspektive të vërtetë shenjtërie në pikëpamjen botërore, bazuar në afirmimin e Njëshmërisë së Zotit.

Ndërsa “Familja muslimane në Epokën e Globalizmit” ishte libri mbi të cilin u diskutua në studion e Radio Kontakt me sociologen Marsida Simo. Biseda u përqendrua në faktin se si ndikon besimi islam në ruajtjen e bërthamës së familjes dhe vlerave të saj universale, pavarësisht ndryshimeve në Epokën Globale.