“Soditje, një studim mendor-shpirtëror islam”, titullohet libri i autorit Dr. Malik Badri, që tashmë ndodhet në duart e lexuesve shqiptarë, falë bashkëpunimit mes Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam dhe Qendrës për Studime të Avancuara (CNS). Soditja mendore është një ushtrim i bukur, i cili rrit vetëdijen e pranisë hyjnore dhe qetëson shpirtin. Në këtë mënyrë, soditja krijon një botëkuptim paqeje, përulësie dhe mendjeje të shëndoshë, shumë e nevojshme në këto kohë gjithnjë e më të trazuara.
Në këtë punë mbresëlënëse, Dr. Malik Badri kërkon të përqendrohet te shpërfillja e përmasës shpirtërore nga Psikologjia Perëndimore, duke vërtetuar se ideja e zhytjes në mendime është një mjet i fuqishëm që lidh mendjen me shpirtin dhe zemrën. Soditja mund të sjellë lehtësim dhe shërim të çrregullimeve psikologjike, të cilat shkaktojnë vuajtje për njerëzimin dhe mund të quhen “sëmundjet e shpirtit”.
Është një libër për ata që merren me qasjen islame, drejt nevojës së ngutshme të shkencave bashkëkohore për të rizbuluar këndvështrimin shpirtëror në jetën e tyre. Disa psikologë perëndimorë kanë filluar ta pranojnë atë që muslimanët gjithmonë kanë besuar, sa i përket “shpirtit” njerëzor dhe rëndësisë së tij për jetën e njeriut. Shumë prej lexuesve të versionit origjinal të këtij libri, e pranuan se në tërësi ai kishte përmirësuar ushtrimin e tyre të besimit. Që atëherë, ai është ribotuar disa herë, si pasojë e kërkesës së lartë. Falë këtij projekti mes AIITC dhe CNS, shumë shpejt ky libër do të botohet edhe në gjuhën shqipe.
Libri “Soditje, një studim mendor-shpirtëror islam” është përdorur si literaturë bazë në psikologjinë dhe arsimin islam të nivelit universitar dhe pasuniversitar. Shpresojmë që kjo punë e pashembullt jo vetëm të jetë një ndihmesë e rëndësishme në fushën e shkencave të sjelljes njerëzore, por të shtojë interesin në mesin e specialistëve të fushës, për të shqyrtuar dhe zhvilluar më tej mendimet dhe idetë e parashtruara dhe të shtjelluara. Sidoqoftë, është e nevojshme të theksohet se ky nuk është një libër vetëm për dijetarët, specialistët dhe intelektualët, por përbën një lexim të vyer dhe tërheqës edhe për lexuesin e zakonshëm.