Mëngjesin e së premtes, xhamitë nën kujdesin e AIITC u mbushën plot me besimtarë, për të falur namazin e Kurban Bajramit. Këto xhami ndodhen në disa zona si Tiranë, Durrës, Rrogozhinë, Kavajë, Vlorë, Shkodër, Malësi e Madhe etj. Imamët dhe vaizët e këtyre xhamive mirëpritën besimtarët e zonave përkatëse,duke i ftuar t′i bashkohen faljes së namazit, të shoqëruar me hytbet (ligjëratat) e mbajtura me këtë rast. Në ligjëratat e tyre ata përcollën mesazhe mbi harmoninë dhe vëllazërinë mes njëri-tjetrit, paqen dhe dashurinë,lutjet e shtuara për lehtësimin dhe përmirësimin e gjendjes së pandemisë botërore, të shoqëruar me durim dhe optimizëm. Pas faljes së Kurban Bajramit dhe hytbeve të mbajtura me këtë rast, të pranishmit ia bashkuan koktejleve të përgatitura nga Departamenti i Edukimit. Gjatë kësaj dite të shënuar, imamët e xhamive nën kujdesin e AIITC, të shoqëruar nga besimtarë që frekuentojnë këto xhami, kryen vizita në disa prej familjeve të zonës, për të uruar festën e Kurban Bajramit. 

Përveç ritualeve që ndiqen përgjatë ditëve të Kurban Bajramit, pjesë e pandarë e kësaj feste janë edhe urimet mes njëri-tjetrit, si shprehje e solidaritetit ndërnjerëzor. Mes urimeve të pafundme nga e gjithë bota, në adresën e institutit AIITC kanë mbërritur kartolina urimi me rastin e Festës së Kurban Bajramit, edhe nga trupat diplomatike të akredituara në Shqipëri. Kështu, urime të përzemërta për sukses dhe prosperitet instituti AIITC ka marrë nga ambasadorët e Arabisë Saudite, Kuvajtit, Katarit, Libisë, Egjiptit, Palestinës, Turqisë, Kosovës, Malit të Zi etj.