Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, përveç aktivitetit shkencor-kulturor, ka pjesë të programit të tij edhe projektet humanitare, investime të vyera në shërbim të komunitetit dhe për të ardhmen e brezave të rinj. Një prej tyre është hapja e puseve nëpër kopshte, shkolla xhami apo qendra bamirësie, shoqëruar me çezma që lehtësojnë përdorimin e tyre.

Muaji korrik shënoi hapjen e një pusi pranë qendrës së re social-kulturore që po ndërtohet në fshatin Xibrakë të Tiranës, në shërbim të njerëzve në nevojë, nga një fondacion humanitar. Pas kërkesës drejtuar institutit AIITC për domosdoshmërinë e pajisjes me ujë të pijshëm të kësaj qendre, u mundësua ndërtimi i pusit dhe , që do t′u ofrojë akses në sigurimin e ujit rreth 200 fëmijëve, të rinjve, të moshuarve dhe të varfërve që do të trajtohen në këtë qendër.  

Një tjetër investim është edhe ndërtimi i pusit në shkollën 9-vjeçare “Ndre Mjeda” të fshatit Bushat. Hapja e këtij pusi erdhi si kërkesë e drejtorisë së shkollës drejtuar institutit AIITC, për plotësimin e nevojave me ujë të pijshëm të rreth 600 nxënësve të këtij institucioni arsimor. Por këto projekte i shërbejnë edhe komunitetit përreth, duke u ofruar mundësinë që të përdorin këto puse për nevojat e tyre më emergjente.