Qendra për Studime të Avancuara (CNS) në Sarajevë, në bashkëpunim me Institutin Ndërkombëtar të Mendimit Islam në SHBA (IIIT), organizuan në datat 13-19 edicionin vjetor të  Shkollës Verore me tematikë “Islami në botën bashkëkohore”. Në këtë Shkollë Verore me pjesmarrës nga shumë vende të botës, ishte i ftuar për të referuar edhe drejtori i AIITC, Dr. Ardian Muhaj, i cili mbajti ligjëratën me temë: “Islam and Islamic culture among Albanians” (Islami dhe kultura islame mes shqiptarëve). Në ligjëratën e tij, Dr. Muhaj vuri në pah se kontaktet e shqiptarëve me Islamin dhe kulturën islame datojnë që në shekullin IX dhe janë pjesë thelbësore e identitetit etnik dhe kombëtar të shqiptarëve.

Përgjatë ditëve të kësaj Shkolle Verore të sukseshme, referuan gjithashtu edhe profesorët: Dr. Ahmet Alibašić, Dr. Ermin Sinanović, Dr. Mirza Sarajkić, Prof. Fikret Karčić, Dr. Renat Bekkin, Dr. Harun Karčić, Dr. Hikmet Karčić, Amel Kovačevic, Muhamed Jusić dhe Omer Kajoshaj. Kjo Shkollë Verore është përuruar në vitin 2008 dhe ka si qëllim të mbledhë studiues nga e gjithë bota dhe t’i angazhojë ata në diskutime të përqendruara e të organizuara mbi tema që lidhen me qytetërimin islam.

Disa ndër objektivat e saj janë: Të zhvillojë metoda për të kuptuarit e Islamit, që janë njëherësh autentike dhe të rëndësishme për realitetet dhe ndjeshmëritë në Perëndim dhe në botën islame. Gjithashtu, të sugjerojë mjete dhe instrumente për angazhimin e komunitetit të studiuesve, komunitetit fetar, mediave dhe publikut në tërësi në debate e përvoja mbi çështjet bashkëkohore njerëzore. Por edhe të zgjerojë fushën e bashkëbisedimeve, nëpërmjet përfshirjes së shkencëtarëve të fushave sociale dhe natyrore, krahas studiuesve të disiplinave tradicionale islame.