Muaji gusht erdhi me të tjera propozime veprash për lexuesit, përmes emisionit të përjavshëm “Kontakt me librin”, që transmetohet çdo të premte në valët e Radio Kontakt. Duke qenë edhe një muaj i nxehtë pushimesh verore, mundësia e leximit është edhe më e madhe, ndaj ne propozuam disa botime të tjera të AIITC ndër vite.    

Me teologun dhe predikuesin e fesë islame, Ilir Curri, diskutuam rreth librit “Kuvendet e Ndritshme” (Koment i 40 haditheve të Imam Neveviut). E zgjodhëm këtë libër për shkak të dobive të shumta që ai përmban, këshillave, të dhënave të sakta, kurioziteteve dhe urtësive. Autori Imam Ahmed bin Shejn Hixhazi El Feshnij në këtë botim ka zgjedhur të komentojë 40 hadithet e imam Neveviut. Autori Ahmed bin Hixhazi El Feshnij e perceptoi librin si kuvende të cilat të mësojnë mirësinë, të afrojnë me Zotin dhe të kujtojnë jetën e amshuar.

Ndërsa në një bisedë miqësore me arkitekten Brunilda Basha, risollëm në vëmendje monografisë studimore “Arkitektura Osmane në Shqipëri (1385-1912)”, të autorit Machiel Kiel. Të gjitha ndërtimet osmane të ruajtura deri më sot, përshkruhen shkurtimisht, një gamë e cila nis me xhamitë, medresetë, teqetë e përfundon me kalatë, urat, shatërvanet dhe banjat publike. Ky libër i shërben çdo turisti vendas dhe të huaj, në mënyrë që, gjatë udhëtimit të tyre turistik nëpër Shqipëri, të vizitojnë edhe këto objekte interesante shekullore, dëshmi e trashëgimisë sonë kulturore.  

Një tjetër botim me vlerë është edhe vëllimi i parë i librit “Të jetojmë me Kuranin”, i autores Dr. Fatima Bint Omar Nasif, i botuar në vitin 2019. Ky vqëllim përmban komentin e vlerave të Kuranit Fisnik në suret El-Fatiha dhe El-Bekare. Për të folur mbi rëndësinë e këtij vëllimi, ishte i ftuar në studio redaktori fetar Fatrit Beqiri. Ai është kujdesur për përshtatjen në gjuhën shqipe nga arabishtja, të një teksti sa të vështirë, po aq edhe shumëdimensional. Ky libër ndihmon të gjithë besimtarët muslimanë të kuptojnë edhe më mirë mesazhet që përcillen në çdo ajet kuranor të sureve El-Fatiha dhe El-Bekare.