Nxitja e mësimit përgjatë gjithë jetës dhe shfrytëzimi i potencialeve të teknologjive digjitale ishte boshti rreth të cilit u përqendrua Konferenca Ndërkombëtare me temë: “Mësimi përgjatë jetës në Epokën Digjitale”, që u mbajt në Vlorë, në datat 03-04 tetor 2020. Konferenca u hap me sesionin prezantues, ku mbajtën fjalën e rastit Drejtori i AIITC, Dr. Ardian Muhaj; Sekretari i Përgjithshëm i IIIT, Prof. Dr. Omar Kasule; Drejtori i CNS, Prof. Dr. Ahmet Alibašić dhe Drejtori i IETT, Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj. Në ditën e parë të punimeve u mbajtën tri sesione me disa ligjërata që kishin në fokus: mjetet dhe burimet e aplikimit të metodave të avancuara në mësimin on-line, rëndësia e të mësuarit përgjatë gjithë jetës, sfidat e njeriut në Epokën digjitale, Islami dhe mësimi virtual, biblioteka digjitale, platformat e mësimit on-line për studentët e arsimit të lartë, terminologjia e gjuhës shqipe në Epokën digjitale etj.
Dita e dytë solli të tjera eksperienca, ku diskutuan aktorë nga fusha e disiplina të ndryshme shkencore, institucione kërkimore-shkencore, shtetërore e private, ofrues të arsimit, institucione të bashkësive fetare islame, udhëheqës të komunitetit, mësues e predikues. Vend të veçantë zuri kumtesa e Prof. Dr. Omar Kasule, Sekretar i Përgjithshëm i IIIT, me temë: “Mësimdhënia on-line në të ardhmen – Të mësuarit dhe hulumtimi”. Përgjatë dy ditëve të punimeve të konferencës njëzet e gjashtë referuesit nga Shqipëria, Kosova, Bosnjë-Hercegovina, SHBA, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Presheva paraqitën rezultatet e hulumtimeve të tyre mbi tematikën e konferencës dhe parashtruan propozimet dhe mendimet e tyre mbi të ardhmen e arsimit përgjatë gjithë jetës në epokën digjitale.
Në fund të ditës së dytë, Drejtori i AIITC, Dr. Ardian Muhaj, bëri përmbledhjen e rezultateve dhe arritjeve të konferencës, ku theksoi faktin se kjo konferencë ishte një përvojë e dobishme për pjesëmarrësit dhe nxiti frymën e bashkëpunimit dhe ndërveprimit mes tyre. Ndërsa Prof. Dr. Ahmet Alibašić solli një pasqyrim të qëllimeve që ajo përmbushi, si dhe foli për projektet në vazhdim për edukimin, ku ftoi të pranishmit të propozonin idetë e tyre në këtë drejtim. Për pjesëmarrësit u dhuruan edhe disa nga botimet e fundit të AIITC në bashkëpunim me CNS, si edhe revista shkencore-kulturore “Univers”. Disa kopje të këtyre botimeve iu dhuruan Bibliotekës së Universitetit të Vlorës, Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup dhe Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë. Në fund të gjithë pjesëmarrësit u pajisën me certifikata.
Konferenca u organizua nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam dhe Instituti Ndërkombëtar i Mendimit Islam (IIIT), në bashkëpunim me Qendrën për Studime të Avancuara (CNS), Institutin e Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit (IETT), Universitetin Kanadez të Teknologjisë (CIT) dhe Qendrën për Mirëkuptim Ndërkulturor “Horizonti”, në Mal të Zi.