Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam është drejt përfundimit të një tjetër botimi interesant, në bashkëpunim me Institutin për Studime të Avancuara (CNS). Bëhet fjalë për librin studimor “Qasje Bashkëkohore ndaj Kuranit dhe Sunetit”, një përmbledhje kumtesash të zgjedhura nga Mahmoud Ayoub, të mbajtura në Institutin Veror të Institutit Ndërkombëtar të Mendimit Islam (IIIT), në periudhën 15 korrik – 15 gusht 2008. Esetë që përmban kjo përmbledhje, janë diskutime mbi çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me Kuranin dhe me Sunetin, të ndara në katër pjesë.

Njëmbëdhjetë kumtesat, pjesë e këtij vëllimi, trajtojnë një larmi çështjesh mbi Librin e Shenjtë dhe traditën profetike. Dy kumtesat e para përqendrohen në shkencën dhe konceptin kuranor. Pesë kumtesat e tjera trajtojnë Kuranin në lidhje me disiplinat jokuranore. Këto ndiqen nga tri kumtesa që kanë të bëjnë në mënyrë të veçantë me Sunetin dhe aplikimin juridik të tij, si edhe një kumtesë e fundit që e mbyll botimin dhe flet për një qasje muslimane ndaj studimeve perëndimore rreth Islamit.

Kurani është një burim i pashtershëm studimi dhe është e qartë se lidhja jonë me Librin e Shenjtë duhet të jetë gjithnjë e një thellësie dhe mprehtësie të urtë e të mençur, që duhet të vëzhgohet me kujdes dhe të ndiqet në mënyrë të vazhdueshme. Ndërsa Suneti i Profetit Muhamed (a.s.), në thelb, nuk është thjesht një korpus i literaturës fetare, por një forcë e gjallë dhe dinamike që duhet ta përdorin të gjithë muslimanët si model për jetën e tyre. Ndaj ky libër është një përpjekje modeste për të ndriçuar rrugën drejt njohjes së thelluar të Kuranit dhe Sunetit. Nga këndvështrimet e ofruara dhe nga çështjet e përgjithshme të shqyrtuara në libër, synohet të përfitojnë, si lexuesit e zakonshëm, ashtu edhe ata të specializuar në fushën e Islamit.