Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam organizoi ligjëratën shkencore me temë: “Prezantim me Financën Islame”.
Pas përshëndetjes së rastit nga drejtori i AIITC, Dr. Ardian Muhaj, moderatori i këtij takimi on-line, pedagogu dhe aktivisti Vehap Kola, bëri një prezantim të shkurtër të programit në vijim, duke ia dhënë fjalën lektorit të ftuar, z. Amel Kovačević, diplomat dhe profesionist i shquar në fushën e financave.
Në pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Bankës së Bashkuar të Shqipërisë, ai solli një ekspertizë të qartë mbi mënyrat dhe parimet islame të marrëdhënieve financiare, pse duhet të zgjedhim bankat islame dhe rolin e tyre në ruajtjen e ekonomisë.
Mes të tjerash, Ligjëruesi z. Amel Kovačević, theksoi se numri total i institucioneve financiare islame në botë është 1400. Ato ofrojnë shërbime me cilësi të lartë në funksion të komunitetit. Edhe nëShqipëri është mëse e nevojshme rritja e interesit ndaj investimit në financat islame.
Çështjet kryesore që u trajtuan në këtë ligjëratë shkencore, ishin: Përkufizimi i termit usury (tarifë e paracaktuar për t’u paguar nga huamarrësi pronarit, si kompensim për fondet e huazuara). Pse të zgjedhim bankat islame ose financimin islamik? Çfarë është banka islame / financat islame? Banka islame në UBA.
Takimi on-line u ndoq drejtpërdrejt nga të interesuarit, studiues të fushës së financave, ekspertë të ekonomisë etj., të cilët në fund të leksionit drejtuan edhe disa pyetje për lektorin z. Kovačević, lidhur me temën e trajtuar.