Titulli: Studime në qytetërimin islam – kontributi musliman në Rilindje

Autorë: Ahmed Essa dhe Othman Ali

Nr. fq: 282

Botues: AIITC

ISBN: 978-9928-126-28-3

 

Kontributi i shkëlqyer i Islamit ndaj shkencës, artit dhe kulturës botërore është një çështje që ka shfaqur interes vitet e fundit. Emra të njohur shkencëtarësh e intelektualësh muslimanë që ishin lënë në harresë, tashmë po vlerësohen për kontributin e jashtëzakonshëm në arritjet e qytetërimit islam dhe trashëgimisë intelektuale të një besimi që e transformoi botën. Këtij qëllimi i shërben edhe libri i shumëkërkuar “Studime në qytetërimin islam – Kontributi musliman në Rilindje”, i porsa dalë nga shtypi. Ky studim voluminoz është një kontribut i çmuar për muslimanët shqiptarë që duan të thellojnë dijet e tyre mbi rolin e qytetërimit islam në atë botëror.

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, në bashkëpunim me Institutin Ndërkombëtar të Mendimit Islam, morën përsipër botimin e këtij libri në gjuhën shqipe, duke e parë të nevojshme informimin e shqiptarëve mbi këtë kontribut. Ky libër i autorëve Ahmed Essa dhe Othman Ali, është një përpjekje për rivendosjen e të vërtetave historike të një “epoke të artë”, që çoi në Rilindjen islame. Vepra ofron një pamje të hollësishme dhe të përmbledhur të zbulimeve dhe arritjeve të këtyre shkencëtarëve. Në kulmin e tij, qytetërimi islam u konsiderua si modeli i përparimit dhe i zhvillimit njerëzor.

Në pesëmbëdhjetë kapitujt e kësaj vepre shqyrtohet roli i Islamit në historinë dhe qytetërimin islam. Kapitulli i fundit mbi Ndikimin Islam në Rilindje, është një analizë e rëndësishme e dijes së madhe që Perëndimi fitoi nga bota muslimane. Dr. Othman Ali, ka bërë një punë të çmueshme për prodhimin e dorëshkrimit përfundimtar të kësaj vepre, pas ndarjes nga jeta të Dr. Ahmed Essa. Aty gjejmë informacione interesante, të panjohura më parë apo të deformuara në të kaluarën, të cilat hedhin dritë mbi vërtetësinë e Islamit dhe ndikimin e tij në zhvillimin botëror e kryesisht, atë perëndimor.