Autore: Zahra Al Zeera
Nr. fq: 252
ISBN: 978-9928-126-27-6
Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, në bashkëpunim me Qendrën për Studime të Avancuara (CNS), sjellin për lexuesin shqiptar një tjetër libër studimor, pjesë e kolanës së botimeve mbi zhvillimet bashkëkohore shkencore e kulturore islame. Bëhet fjalë për librin me titull “Tërësia dhe shenjtëria në edukim, një perspektivë islame”, të autores Zahra Al Zeera. Ky libër është një kontribut i mëtejshëm për punën jetësore të ‘Islamizimit të dijes’, që vazhdon traditën e ringjalljes së një perspektive të vërtetë shenjtërie në pikëpamjen botërore, bazuar në afirmimin e Njëshmërisë së Zotit. Duke kërkuar unitetin, harmoninë dhe balancën, perspektiva islame nuk përvetëson mënyrat analitike dhe sintetike të mendimit si stile kontradiktore, por si kapacitete plotësuese.
Sipas autores, sfida e edukatorëve muslimanë është ndjekja e parimeve dhe metodave të gjera arsimore që rrjedhin nga paradigma islame. Ideja për realizimin e këtij libri i ka fillesat në vitin 1989, kur autorja përgatiti tezën e saj të Doktoraturës. Ky libër ka të bëjë me metodat e përvetësimit të njohurive dhe transformimit nga mësimdhënia në mësimnxënie. Gjithësia, uniteti, harmonia dhe ekuilibri janë koncepte të rëndësishme në zhvillimin e programeve islame dhe sistemeve arsimore, që ndihmojnë në zhvillimin e mirëkuptimit, tolerancës dhe integritetit.
Kapitulli i parë merret me përvojat personale dhe udhëtimin intelektual e shpirtëror të vetë autores. Ndërsa kapitulli i dytë paraqet shpirtëroren nga perspektiva e një gruaje. Prodhimi i njohurive islame është një çështje e rëndësishme në këtë libër. Reflektimi mbi përvojën personale u ofron kërkuesve një kurs të menjëhershëm, real dhe origjinal të dijes, i cili është lënë pas dore dhe është minimizuar nga pozitivistët për një kohë të gjatë. Autorja thotë: “Gjatë realizimit të këtij libri, kuptova konfliktin ndërmjet anëve intelektuale dhe shpirtërore të qenies sime dhe e perceptova konfliktin midis Lindjes dhe Perëndimit brenda meje dhe shoqërisë sime”.
Pavarësisht nga profesioni që zotëron gjithsecili, në shkencë, teknologji, psikologji apo astronomi, kur fillojmë të analizojmë teoritë në ato fusha nga një perspektivë islame, shpirtërorja dhe e shenjta përshkohen natyrshëm dhe thellësisht. Qëllimi i librit është nxitja e muslimanëve për të reflektuar mbi përvojat e tyre personale, për të gjetur fijen e artë në jetën e tyre, ta njohin dhe ta shfrytëzojnë atë në jetën e tyre personale dhe profesionale. Pranimi i së shenjtës brenda gjithsecilit, duke e bërë pjesë të jetës së përditshme.