Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam organizoi të enjten, datë 24 dhjetor 2020, takimin online për prezantimin e botimeve të kolanës Mendimi Islam. Takimin e ndoqën në kohë reale studiues, përkthyes, redaktorë, teologë dhe studentë të interesuar. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte një përfaqësim i denjë i 13 botimeve, si një nga projektet më dinjitoze të realizuara nga AIITC, në bashkëpunim me Qendrën për Studime të Avancuara dhe me mbështetjen e Institutit Ndërkombëtar të Mendimit Islam. Botimi i këtyre librave në gjuhën shqipe është një nismë e shumëpritur për promovimin e qytetërimit islam ndër shqiptarët dhe njohjen e rolit të tij në historinë botërore.

Bëhet fjalë konkretisht për botimet:

  • Punimet e Konferencës Ndërkombëtare “Mendimi Islam bashkëkohor: Zhvillime dhe perspektiva”,
  • Punimet e Konferencës Ndërkombëtare “Kurrikulat dhe tekstet shkollore në medresetë shqiptare”,
  • libërthat “Duke rimenduar gratë muslimane dhe mbulesën: Sfida ndaj stereotipeve historike dhe moderne”,
  • “Anësia epistemologjike në shkencat fizike dhe sociale”,
  • librat studimorë “Tërësia dhe Shenjtëria në edukim – një perspektivë islame”,
  • “Kontributet muslimane në qytetërimin botëror”,
  • “Studime në qytetërimin islam – kontributi musliman në Rilindje”,
  • “Shura – Parimi kuranor i këshillimit, një mjet për rindërtim dhe reform”,
  • “Fuqia e Arsimit”,
  • “Objektivat e Ligjit Islam – Një udhëzues për fillestarët”,
  • “Soditje – Një studim mendor shpirtëror islam”,
  • “Gjuha e mrekullueshme e Kuranit – Dëshmi e origjinës hyjnore” dhe
  • “Qasje bashkëkohore ndaj Kuranit dhe Sunetit”, i dalë së fundi nga shtypi.

Në fjalën përshëndetëse, themeluesi dhe anëtari i Bordit Drejtues të AIITC, Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj, përgëzoi punën e bërë nga tre institucionet për botimin e këtyre librave, por solli në vëmendje edhe shumë botime serioze të realizuara nga AIITC ndër vite. Ndërsa drejtori i AIITC, Dr. Ardian Muhaj, i njohu të pranishmit me ecurinë e këtij projekti, me bashkëpunimin e deritanishëm mes AIITC dhe CNS, si dhe me projektet për të ardhmen.

Një prezantim më të detajuar të 13 botimeve në fjalë bëri koordinatorja e këtij projekti, znj. Anisa Hykaj, duke vënë në dukje ndikimin që këto botime kanë te lexuesi, përmes temave interesante që trajtojnë.

Gazetarja dhe redaktorja Oriola Sula pasqyroi punën e bërë për promovimi e këtyre botimeve në emisionet radiofonike, në shpërndarjen e tyre përmes emaileve të hapura si dhe në postimet në rrjetet sociale. Po kështu, një punë e mirë është bërë edhe për dhurimin dhe shpërndarjen e dhjetëra kopjeve të tyre nëpër shkolla, biblioteka, xhami, institucione etj., apo gjatë vizitave në AIITC të studiuesve, profesorëve, drejtuesve të institucioneve vendas e të huaj, studentëve etj.

Disa prej këtyre botimeve u trajtuan më gjerësisht nga Përgjegjësi i Departamentit të Mualimëve, z. Pëllumb Jaupi, nga nëndrejtori i AIITC, z. Genc Aga, nga teologu Ilir Curri dhe nga bashkëpunëtori dhe përkthyesi, z. Roald Hysa.

Disa nga ndjekësit e këtij webinari dhanë mendime e sugjerime për t’u marrë në konsideratë. Takimi u mbyll me urimin që vitin e ardhshëm të sjellim realizimin e të tjera projekteve të rëndësishme.