Doli nga shtypi libri i shumëpritur me titull “Islami – Fe, praktikë, kulturë dhe rend botëror”, i autorit Ismail Raxhi El Faruki, filozof palestinezo-amerikan. Në vazhdim të projektit të përbashkët mes AIITC dhe CNS (Sarajevë), ky libër i shtohet botimeve të kolanës “Mendimi Islam”. El Faruki ishte një mendimtar i madh, me një logjikë të mprehtë, që u angazhua intelektualisht në të gjitha sferat, veçanërisht në sferën e Islamit dhe të besimeve të tjera. Ajo çka e bën unik argumentimin e tij, argumentim që pasqyrohet edhe në këtë vepër, është pikërisht fakti se ai nuk e paraqet Islamin vetëm si një besim dhe praktikë shpirtërore, por edhe si një përvojë të mrekullueshme.
Në këtë libër, autori i prezanton komunitetit të gjerë botëror, Mesazhin e Islamit dhe domethënien e tij. Elementët e Mesazhit janë përmbledhur dhe shpjeguar në shtatë pjesët e këtij libri, të cilat përmbajnë 21 kapituj në tërësi. Ai nuk e paraqet Islamin vetëm si një besim e praktikë shpirtërore, por edhe si një përvojë të mrekullueshme.
El Faruki hodhi themelet e një interpretimi dhe analize të re të teuhidit (njësimit të Zotit) dhe lidhjes së tij me dijen, jetën dhe mendimin. Qasja e rreptë intelektuale dhe logjika e tij e mprehtë e ngritën standardin e mendimit intelektual islam në nivele të reja. Nevoja për ta “njohur” Islamin është e pranishme si kurrë më parë, dhe ky libër synon të bëjë një prezantim tërësor të tij. Lexuesit ftohen “miqësisht” që të hyjnë në botën e Islamit, të njihen me përbërësit e tij dhe me mënyrën e zbatimit të tij në jetën e përditshme.